Lebron Xhejms, i dyti yll në historinë e NBA-së me mbi 38 000 pikë!

Me këtë ritëm do t’ia dalë ndoshta pas 11 apo 12 ndeshjeve. Lebron Xhejmsi është në ndjekje të rekordit të pikëve në basketbollin amerikan dhe në sfidën ndaj Filadelfias arriti diçka të veçantë. i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” u bë i dyti lojtar në historinë e NBA-së që mbërriti shifrën e 38 000 pikëve në karrierë. Kjo pasi realizoi plot 35 pikë për Lejkërsat në Los Anxhelos. Edhe pse ndeshja u humb me shifrat 113-112, sërish Lebroni duhet të ndihet krenar sepse ai është tani vetëm 364 pikë larg rekordit që e mban Karim Abdul Xhabari.

Në moshën 38-vjeçare, legjenda e koshit po vazhdon të luajë në nivelet më të larta, diçka që nuk e ka bërë askush përpara tij, as yje të tillë si Karl Maloun apo Majkëll Xhordan. Natyrisht, thyerja e rekordit të pikëve në NBA është një objektiv i madh për kapitenin e ekipit nga Kalifornia, ndonëse synimi i tij kryesor është titulli kampion. Për momentin, duket se do ta ketë të vështirë që ta fitojë pasi Lejkërsat e famshëm janë pranë fundit të renditjes në Konferencën Perëndimore të kampionatit amerikan të basketbollit.

Sfidanti.al