Rinisja shpesh cilësohet e vështirë, por ata ia dolën. Kampionia e vendit, Tirana, e filloi vërtet ngadalë gjysmën e dytë të sezonit të kampionatit, por arriti të reagonte në kohë dhe të merrte atë për të cilën kishte shkuar në Kurbin. Edhe pse pësoi gol që në minutën e 2-të kur sulmuesi Vasil Shkurtaj përfitoi nga një gabim në zonë, kryeqytetasit sërish fituan. Golat e përmbysjes u shënuan pikërisht në fund të pjesës së parë dhe në nisje të së dytës. Autorë të tyre ishin Lulaj dhe Hasani, ndërsa bardheblutë e kontrolluan pa problem 45-minutëshin e dytë.
U përballuan siç duhet mungesa të rëndësishme si Toshevski, Kallaku dhe i sapoardhuri Lushkja, që nuk ishte gati, ndërsa Behiraçe u aktivizua vetëm në fund. Me gjasë, përveç forcës së ekipit të trajnerit Orges Shehi, në rezultat ndikoi edhe dobësia e kurbinasve që janë shumë larg nivelit të viteve të kaluara, ndonëse për disa ndeshje patën përmirësim me trajnerin e ri, Mezani. Tirana arriti në 28 pikë pas 16 javësh duke mos lejuar që Partizani të shkëputet, pra mbetet plotësisht në lojë për të mbrojtur titullin e fituar vjet. Në ndeshjen tjetër të së premtes, Bylisi e Kukësi luftuan shumë, por si shpërblim morën vetëm dy kartonë të kuq, një për secilin ekip, sepse gola nuk pati.
Sfidanti.al