Nuk ka rëndësi për ta që ky trajner fitoi Championsin në majin e vitit 2021, të dytin dhe të fundit të Bluve të Londrës në histori. Po ashtu, nuk ka rëndësi që arriti finalen gjithashtu të Championsit me Paris SG dhe u mund nga i plotfuqishmi Bajern në vitin e koronavirusit, 2020, ndërsa Tomas Tuhel konkurroi në dy finale kupash ndaj Liverpulit në Angli sezonin e kaluar duke humbur vetëm me penallti. Një trajner i tillë nuk u prit aspak, por u shkarkua vetëm pas 7 ndeshjeve në Premier Ligë dhe humbjes në Zagreb ndaj Dinamos në sfidën e parë të Championsit. Sidoqoftë, pronarët janë në krah të njëri-tjetrit dhe ish-aksioneri kryesor i Kristël Palasit, Sajmën Xhordan (Simon) deklaroi për mediat britanike se i jep të drejtë pronarit të Çelsit, Tod Boehli që e shkarkoi teknikun gjerman. “Tifozët do të shtangeshin nga habia nëse do të merrnin vesh arsyet se përse Tuheli u shkarkua”, – ishin fjalët e Xhordanit.
Sfidanti.al