Është një portier shumë i mirë, ndonëse nuk i pëlqen ish-gardianit të Gjermanisë, Ajke Imel (është i shkurtër, thotë ai). Gjithsesi, Bajerni ka ndërmend që ta marrë Jan Zomerin që tani në janar, ndonëse sipas atyre kushteve që i cilëson “të duhurat”. Drejtuesit bavarezë, sipas gazetarit Kerri Hau të “Sport1”-it, kanë vendosur një herë e mirë se nuk do të paguajnë më shumë se 4 milionë euro për kartonin e zviceranit. “Është çmim i ndershëm për një lojtar kontrata e të cilit përfundon në qershor”, – thuhet se është arsyetimi i shefave në “Zebener Shtrase”. Borusia e Mynshengladbahut kërkon 8-10 milionë euro për kartonin e Zomerit, ndërsa besohet se portieri dëshiron të shkojë tek Bajerni për të fituar një herë e mirë Numrin 1, pra për të ulur Manuel Nojerin në stol.
Sfidanti.al