Igli Tare, Juventusi e vlerëson lart kandidaturën e shqiptarit për drejtor sportiv!

Në Itali janë të bindur se ai është njëri nga emrat kryesorë. Igli Tare si drejtor sportiv i Juventusit është hipotezë e rikthyer në modë, madje këtë herë shumë më seriozisht. “La Gazeta delo Sport” thekson se në klubin piemontez po nxitojnë për të gjetur një drejtor të ri sportiv, dhe se profili i shqiptarit është njëri nga më të vlerësuarit. E përditshmja milaneze komenton se Tare është vetmi nga kandidatët e listës që përfundon kontratën me Lacion vitin e ardhshëm, pra që nuk do të ketë pengesa ligjore. Po ashtu, drejtori sportiv i klubit kryeqytetas ka arritur të ndërtojë një skuadër fituese me shpenzime të vogla, duke treguar aftësitë e tij. Për më tepër, raporti i tij me trajnerin Mauricio Sarri nuk është nga më të mirët, përkundrazi, ndërsa po ashtu marrëdhëniet me presidentin Lotito janë zbehur pas shumë vitesh bashkëpunim.

Bindja është që Tare dëshiron të ndryshojë ambient, dhe po ashtu dihet se Juventusi e ka pasur vazhdimisht në konsideratë të lartë. Natyrisht, shqiptari nuk është i vetmi që pretendon për postin në Torino. Luis Kampos i Paris SG, Andrea Berta i Atletikos së Madridit, Xhovani Rosi i Sasuolos dhe Kristiano Xhuntoli i Napolit janë gjithashtu kandidatë. Juventusi po kalon një periudhë transformimi pasi drejtuesit kryesorë si presidenti Andrea Anjeli dhe zv. presidenti Pavel Nedved dhanë dorëheqjen pas skandalit të plusvalencave, ndërsa drejtori i tanishëm sportiv, Kerubini, pritet të kalojë në një detyrë tjetër.

Sfidanti.al