Dhuna e ultrasve, apo mallkimi që nuk po i shqitet derbit të kryeqytetit!

Një histori që, siç thuhet, është gjysmë e shenjtë dhe gjysmë e mallkuar. E tillë ajo e tifogrupeve ultras, që edhe i japin një bukuri të mahnitshme futbollit, edhe e hedhin në humnerat më të mëdha të dhunës e të tmerrit. Ajo që ndodhi në derbin e fundit në “Arenën Air Albania” ishte thjesht seria e radhës e një filmi serial makthi, që për fat nuk ka sjellë viktima, por padyshim shkatërrime, dëme financiare dhe humbje shprese.

Kur gjithçka nisi në vitin 2006 me tifogrupin e parë “Tirona Fanatiks”, ishte padyshim diçka e bukur, idilike dhe madje patriotike. Pjesëtarët e parë të “Fanatiksave” ishin në Prishtinë në shkurtin e 2008-ës kur Kosova shpalli pavarësinë, dhe bashkë me flamurin e Tironës së tyre nuk harrojnë kurrë atë kombëtar. Gjithsesi, kjo është vetëm një pjesë e realitetit. Nga viti në vit, me intensitet herë maksimal e herë pak më të ulët, përplasjet u shtuan me grupimin rival “Guerrilsat” e Partizanit.

Ashtu si dikur në Angli, dhe ashtu si në Beograd, Athinë apo Buenos Aires, tashmë zhvillohen dy derbi, me njërin në tribuna apo jashtë stadiumit. Tirana e Partizani kanë humbur me dhjetëra e dhjetëra miliona lekë, po ashtu një pjesë të bazës familjare të tifozëve si dhe imazhin kundretj sponsorëve të mundshëm. Jo vetëm kaq, por ultrasit edhe u janë kthyer kundër, siç ndodhi disa vjet më parë kur Tirana do t’i jepte Partizanit me qira stadiumin “Selman Stërmasi”.

Çfarë po ndodh në një vend ku dhuna ka qenë më shumë fenomen i provincave në një tranzicion që dukej se nuk do të merrte fund? Si kudo në botë, shpjegim ka dhe arsyet janë urbanizimi i shoqërisë, pra tëhuajtja e njerëzve, si dhe polarizimi shoqëror në skaje pasurie. Natyrisht, ultrasit bardheblu e të kuq nuk janë të vetmit dhe dhuna nuk ndodh vetëm në derbi.

Sfidanti.al