“Dhurata” e vitit të ri për kombëtaren e ka emrin Marko Xhampaolo!

Tre vjet më parë as nuk e mendonte se mund të vinte në Tiranë. Marko Xhampaolo, në moshën 52-vjeçare, po hidhte hapin e madh të karrierës duke u prezantuar tek Milani. Gjithsesi, ndoshta ishte pak shpejt, a ndoshta italiani elegant nuk ishte i prerë për skuadra të mëdha, por presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka menduar se ai është i duhur për një ekip të nivelit të dytë si kombëtarja jonë. Burime në Federatë bëjnë me dijë për Abc-në se përkundër alternativave të shumta, që nga Luixhi Di Biaxho e ndonjë italian tjetër, e deri të vetëofruar si Shevçenko, Kambiaso dhe një trajner kroat, i përzgjedhuri është Xhampaolo. Tekniku 55-vjeçar pritet të prezantohet si njeriu i stolit dhe si pasardhësi i Edi Rejës, ndonëse nuk dihet saktë nëse kjo do të ndodhë këto ditë, apo në janar.

Duka vazhdon me linjën italiane pas Xhani De Biazit, Kristian Panuçit dhe pikërisht Rejës, pa llogaritur Bepe Dosenën që nuk pati histori me ne. Presidenti, mësohet se është takuar kohë më parë me Xhampaolon në Milano, ku ka pasur një drekë pune që ka zgjatur afërsisht 3-4 orë. Edhe ditët e fundit, Duka ka qenë sërish në udhëtim, në Itali, siç duket për t’i dhënë dorën e fundit bashkëpunimit. Rroga nuk pritet të ndryshojë shumë nga ajo e deritanishmja, që shkon nga 15 deri në 20 000 euro në muaj, e thjesht mund të ndryshojë mënyra e llogaritjes së shpenzimeve të punës. Besohet se Xhampaolo është këshilluar me De Biazin apo Rejën dhe vlerëson faktin se do të ketë kohë për të çuar përpara projektin e tij dhe se do të ketë siguri financiare.

Sfidanti.al