Totenhem i mrekullueshëm, por rrezikon shumë pa Kejnin!

Harri Kejn është Lionel Mesi apo Zllatan Ibrahimoviçi i Totenhemit. Futbollisti i kombëtares së Anglisë ka qenë vendimtar për “gjelat” këtë sezon, por dëmtimi i pësuar në ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Miluollit mund ta kthejë në tragjedi një edicion që po shkon shkëlqyeshëm deri tani. Kejn doli nga fusha me paterica dhe parashikimet e mjekëve janë që ai nuk mund të kthehet në futboll pa kaluar 7 javë, për shkak të dëmtimit serioz në kavilje. Kjo do të thotë se trajneri Poçetino nuk do ta ketë në shumicën dërrmuese të ndeshjeve të mbetura në Premier Ligë, ku Spërsat po përpiqen të kualifikohen për në Champions.

Totenhemi është në pozicion të mirë, por misioni mund të bëhet i pamundur pa lojtarin më të mirë dhe nga kjo mund të përfitojnë Liverpuli, Arsenali apo Mançester Junajtid, që janë prapa londinezëve me fanela të bardha në renditjen e kampionatit. Pavarësisht eleminimit në Ligën e Europës, skuadra e Poçetinos është në vendin e tretë në Premier dhe në gjysmëfinalen e Kupës, ku u arrit pas suksesit 6-0 ndaj Miluollit. Lojtari më i mirë në fushë ishte koreanojugori Son Heung-Min që shënoi 3 gola, duke iu përgjigjur sharjeve raciste të disa prej tifozëve miq.

Sfidanti.al