Rekordi ishte i vjetër dhe i përkiste njërit prej “shpikësve”. Golshënuesi më i vjetër i futbollit profesionist deri këtë fundjavë ishte Sër Stenli Metjus. Anglezi legjendar shënoi kur kishte mbushur 50 vjeç e 5 ditë, ndërsa mbante veshur fanelën e Stouk Sitit në ndeshjen ndaj Fulhamit. Sot, “pronari i rekordit” është një tjetër dhe është nga Japonia. Quhet Kazijoshi Miura, një emër që e njohin në Europë pasi luajti në Itali për Xhenoan, ndërsa njihet edhe në Brazil, ku ishte tek Santosi i Peles.
Miura shënoi gol në moshën 50 vjeç e 7 ditë, ndërsa gjysmë shekulli jetë mbushi në 26 shkurt. Ai shënoi për Jokohamën, në fitoren 1-0 ndaj Thespa Kusacut, duke realizuar në minutën e 40-të. “Jam i lumtur që ndihmova për t’u arritur fitorja, – tha Miura, – gjithmonë synoj të shënoj, por sidomos doja që të fitonim ndeshjen”. Miura theu edhe rekordin personal në ligën profesioniste japoneze. Ai ka 32 sezone që luan futboll, ka dalë në fushë 89 herë për kombëtaren e Japonisë, duke shënuar 55 gola, por nuk ka luajtur dot kurrë në një Kupë të Botës.
Sfidanti.al