Shaqiri dhe Zvicra synojnë kualifikimin e madh ndaj Portugalisë së Ronaldos!

Nuk është një sfidë shpërthyese si ajo që kaloi, por tensioni është në kulm. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka e kaluan ndeshjen prej lufte ndaj Serbisë, veçse emocionet nuk kanë sesi të pakësohen në prag këtij momenti. Zvicra, me dy lojtarë me origjinë nga Kosova, përballet me Portugalinë sot në 20:00, me synim çerekfinalen, ashtu siç ndodhi në 1954. Pas fitoreve ndaj Kamerunit dhe Serbisë, helvetët kanë besim, ndërsa lajm i mirë është që FIFA nuk do të hapë ndonjë hetim për kapitenin Xhaka, as për veprimin ofendues që bëri ndaj kundërshtarëve, dhe as për fanelën me mbiemrin Jashari që veshi në fund. Jo vetëm kaq, por trajneri Murat Jakin, ka vetëm lavdërime.

“Jemi shumë të kënaqur me Granitin, – thotë ai, – Ai është një lider mjaft i mirë, ai merr vendimet e duhura. Ai është njeri me karakter. Shokët e vlerësojnë faktin që ai merr përsipër përgjegjësi. Ne fituam dhe emocionet ishin të mëdha. Do të ishte e habitshme nëse ai do të kishte qenë i pandjeshëm”. Nuk dihet se me çfarë formacioni mund të luajë Zvicra, dhe nëse Shaqiri mund të ulet në stol, siç ndodhi ndaj Brazilit, apo do të jetë titullar sikurse me serbët, dhe nëse portieri Zomer do të jetë gati.

Portugalia, ndërkaq, ka një problem që quhet Kristiano Ronaldo. Edhe pse kapiteni nuk ka lëndime, sërish polemikat nuk mungojnë, me 70 për qind të tifozëve që e duan në stol, siç del nga sondazhi i të përditshmes “A Bola”. Trajneri Fernando Santos po ashtu shpreh pakënaqësi. “Nuk më pëlqeu aspak reagimi i Ronaldos në ndeshjen ndaj Koresë së Jugut, kur e zëvendësova, – deklaroi ai, – E pashë edhe një herë atë filmim. Gjithsesi, këto janë gjëra që ne i zgjidhim në gjirin e ekipit. Ajo gjë është zgjidhur dhe ne mendojmë vetëm për ndeshjen”. Kjo ndoshta do të thotë se Ronaldo edhe mund të ulet në stol.

Sfidanti.al