Asnjë lojtar nuk ka mundur të jetë si ai në të tre elementët kryesorë të basketbollit në NBA. Lebron Xhejms pritet të kalojë brenda këtij sezoni Shakill O’Nillin në vendin e 7-të të shënuesve për të gjitha kohët (aktualisht ka 28 369 pikë të realizuara), ndërsa shpejt do të jetë në 10-en më të mirë në histori për asistët (tani për tani ka 7341 asistë). Për më tepër, Lebron ka edhe 7600 topa të kapur në tabela, ndonëse në këtë kategori nuk është as ndër 50 vendet e para (nuk ka faj, nuk është lojtar qendër).
Gjithsesi, asnjë si ai nuk ka këtë kombinim të tre elementëve, dhe Klivlendi shpreson që ky klas i kapitenit ta ndihmojë për të fituar titullin edhe këtë vit. Sezoni nuk ka qenë aspak entuziast, me plot 21 humbje, gati dyfishin e Golden Stejtit apo të San Antonios. Në 7 ndeshjet e fundit janë humbur 5, në pesë të fundit, katër, ndërsa suksesi ndaj Orlandos ishte i pari pas tri disfatave radhazi.
Lebron mbetet me shpresë sepse Kavaliersi nuk është ende një skuadër e plotë. Korver i dëmtuar, Kevin Lov i dëmtuar, Bogat nuk kthehet këtë sezon, Smith mungon bashkë me gjuajtjet e tij, ndërsa Uilliams nuk ka ende përgatitjen e duhur. Duhet edhe 1 muaj derisa të fillojë plej ofit dhe shpresat janë që disa prej lojtarëve të kthehen dhe Klivlendi të mos jetë prapa me Golden Stejtin apo San Antonion, për sa i përket cilësisë dhe sasisë. Aq më tepër, me një Lebron Xhejms në formë maksimale gjithçka mund të ndodhë.
Sfidanti.al