Reja largohet nga kombëtarja, por Shqipëria do të vazhdojë “të flasë italisht”!

Sot është dita e fundit zyrtare. Edi Reja përfundon këtë 30 nëntor kontratën e tij në stolin e kombëtares, akord që nuk u rinovua automatikisht meqë kuqezinjtë nuk dolën dot në vend të parë në grup në Ligën e Kombeve, madje dolën të fundit. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë se është thuajse e pamundur që të vazhdohet me italianin 77-vjeçar, që ka drejtuar ekipin që nga prilli i vitit 2019. Me Rejën, kuqezinjtë luajtën 38 ndeshje, duke arritur 14 fitore e 15 humbje, duke u ngjitur një kategori më lart në Ligën e kaluar të Kombeve, e duke pasur shpresa për kualifikim në grupin eliminator të Kupës së Botës. Gjithsesi, dështimi ishte i plotë në Ligën e fundit të Kombeve, me dy barazime e dy humbje ndaj Izraelit dhe Islandës.

Presidenti Armand Duka besohet se ka zgjedhur të ndryshojë njeriun e stolit, ndonëse informacioni është që alternativa do të jetë sërish italiane. Emri më i kuotuar mbetet ai i Luixhi Di Biaxhos, ish-trajner i Italisë U21 dhe Italisë U20. Tekniku 51-vjeçar vlerësohet për përvojën me ekipet kombëtare, ndonëse kjo ka ndodhur 9 vjet më parë, duke qenë edhe trajner kujdestar i Italisë në 2018 për një ndeshje. Me ekipet e klubeve, Di Biaxho drejtoi për disa muaj SPAL-in e Ferrarës në Serinë A në vitin 2020. Marko Xhampaolo është emri tjetër i përmendur si kandidat, ndonëse ish-trajneri i Milanit, Torinos dhe së fundmi i Sampdorias është thënë që ka pasur kosto tepër të lartë financiare, ndaj edhe akordi nuk është arritur. Pak besohet se Duka do të mendojë për një trajner kroat, siç u fol më parë, apo edhe për legjendën ukrainase, Andrij Shevçenkon.

Sfidanti.al