Festa ishte e plotë, në fushë dhe në tribuna. Anglia bëri të lumtur një komb, e padyshim edhe një grup vajzash e grash që ndodheshin në tribunën e stadiumit të Kupës së Botës ku triumfoi 3-0 ndaj Uellsit. Përtej emocioneve dhe spektaklit pas pushimit, futbollistët e tre luanëve patën kënaqësinë se u takuan me të dashurat dhe me gratë e tyre, siç nuk kanë pasur mundësi gjatë gjithë këtyre ditëve. Mediat britanike janë plot me foto të tilla. Historia e femrave është e hershme në kombëtaren e Anglisë, dhe shpesh herë nuk ka pasur përfundim të lumtur. Yjet e sotëm natyrisht shpresojnë që të mos ndodhë kështu, dhe kanë dhënë prova në Botërorin rus në 2018 apo në Euro 2020, por kush mund ta harrojë dështimin e rëndë të “tre luanëve” në Kupën e Botës të vitit 2006 në Gjermani?
Anglia në atë kohë kishte një superekip me Bekamin, Runin, Xherrardin, Lampardin apo Terrin, por sërish u eliminua në çerekfinale nga Portugalia, në një duel ku Uejn Runi doli me karton të kuq ndërsa kishte përballë shokun e tij tek Junajtidi, Kristiano Ronaldon. Penalltitë vendosën, por fati i shpikësve të futbollit ishte përcaktuar që nga skandalet e grave dhe të dashurave të lojtarëve që u bënë më të famshme sesa vetë futbollistët, që ishin në qendër të shtypit rozë, dhe që patën festa skandaloze në hotel. Anglia e sotme duket shumë më e bashkuar, femrat po mbahen larg dhe janë disi në hije, por gjithsesi për raundin e ardhshëm ndaj Senegalit ka një parashikim aspak optimist. Këtë e bën ish-ylli i SHBA-së, Aleksis Lalas, që në një debat me gazetarin anglez, Pirs Morgan, thotë se Amerika do të kualifikohet ndaj Holandës, dhe Anglia do të eliminohet nga Senegali.
Sfidanti.al