Jehona e madhe për Spanjën: Brutale dhe për të ëndërruar!

Pas Anglisë, më në fund një gjigand arriti që të bindë. Kupa e Botës në Katar nuk vlen vetëm për të vegjlit e futbollit, dhe për të na e kujtuar këtë mendoi Spanja. Meritë e saj apo dobësi e Kosta Rikës, kjo do të shihet më vonë, por triumfi 7-0 ishte i jashtëzakonshëm të paktën për shifrat. Iberikët arritën suksesin më të madh në një botëror, dhe për herë të parë që nga viti tepër i largët 1938 shënuan 3 gola përpara pushimit. Për më tepër, Gavi u bë shënuesi më i ri i Spanjës në një turne të tillë. Po ashtu, ai është tani i treti shënues më i ri në një turne të tillë, dhe më i riu që nga Peleja në Kupën e Botës në Suedi në 1958.

Jehona padyshim që ishte e madhe. E përditshmja madrilene, “Marka” pati titullin “Ishte një Spanjë brutale”, shoqëruar me rezultatin dhe me një foto të lojtarëve të përqafuar. Edhe “AS” po nga Madridi ishte triumfale me titullin “Për të ëndërruar”, dhe thekson se Spanja u bë sensacioni i Botërorit Edhe mediat katalanase nuk u kursyen, pasi e përditshmja “Sport” titullonte “Ole, ole” dhe “El Mundo Deportivo” shkruan “Një e kuqe mekanike”! Trajneri Luis Enrike po ashtu ishte i lumtur.

“Po, jam shumë i lumtur, – tha ai, – Është rezultat i punës së madhe që kemi bërë gjatë javës, gjatë çdo dite. Mendoj se patëm kontrollin e ndeshjes në çdo moment dhe ky ishte objektivi i parë. Rivali ishte i guximshëm dhe mund të na kishte krijuar probleme, por gjithçka ishte e jashtëzakonshme me topin, në finalizim. Ne po vazhdojmë me të njëjtën filozofi që ka pasur Spanja gjatë gjithë këtyre viteve”. Tifozët janë tepër të lumtur dhe kanë ëndrra të mëdha që të përsëritet viti 2010 kur Spanja e tyre u shpall kampione e botës.

Sfidanti.al