Kanë ndodhur edhe më përpara, por gjithmonë krijojnë tronditje. Duket si rrëzimi i perëndive kur një favorit për Botërorin mundet nga një sfidant modest dhe kështu ngjau edhe me Argjentinën. Në mënyrë të pabesueshme, dy herë kampionët e botës u mposhtën nga Arabia Saudite, që nuk deshi të dinte aspak se po fitonte ndaj kandidates numër 2 për titull, e që kishte në përbërje atë që mund të cilësohet si lojtari më i madh i historisë. Lionel Mesi e shkroi një faqe historie për vete, duke u bërë argjentinasi i parë që shënon në 5 kupa të botës, diçka që nuk e realizoi as Diego Armando Maradona, por këtë herë rrjeta e tij doli e pavlerë.
Sauditët, në këtë ndeshje të grupit C, u dukën krejt ndryshe nga Katari vendas apo edhe sesa Irani që u shkatërrua nga Anglia. Ekipi i mbretërisë së madhe u tregua më i forti i Lindjes së Mesme deri tani në Botëror, e ndoshta do të jetë ai që do të mbrojë nderin e rajonit që organizon turneun. Habi e vërtetë pasi sauditët ishin krejt ndryshe në miqësoren ndaj Shqipërisë, që e luajtën me dyer të mbyllura dhe që mezi e barazuan 1-1.
Gjithsesi, ajo që zhgënjeu më shumë tek Argjentina nuk ishte humbja, në fund të fundit u ka ndodhur edhe më parë si në 1990 në Itali me Kamerunin, por loja. Në fushë u duk sikur nuk ishte aspak ekipi i Mesit, Di Marisë apo Lautaro Martinezit. Ishte nënvleftësim apo ndoshta skuadra arabe ishte me të vërtetë e fortë? Kjo do të shihet në ndeshjet e radhës, por ndërkohë kampionët e Amerikës së Jugut humbën mundësinë për të barazuar rekordin e pathyeshmërisë së Italisë së Mançinit që mbetet 37 ndeshje radhazi pa humbje, ndërsa “bardhekaltërit” e kanë 36.
Sfidanti.al