Një tjetër “Arabi” ndaj Katarit, kombëtarja e kampionatit dënohet sërish me “terr mediatik”!

Mund të quhet përfaqësuesja e kampionatit. E tillë do të jetë skuadra që do të dalë në fushë sot në orën 18:30 në Marbejë të Spanjës me trajnerin Reja që do t’u besojë futbollistëve të Superligës. Tekniku italian pritet të luajë në miqësoren ndaj Katarit me skemën e tij të zakoshme, 3-5-2, por pa asnjë lojtar që luan jashtë vendit. Përjashtim bën portieri Shala që vjen nga Kosova. Në formacion priten lojtarë nga Partizani, Tirana dhe Vllaznia, por edhe të tjerë. Kjo do të jetë miqësorja e dytë ku do të provohen lojtarët e kampionatit, pas asaj ndaj Arabisë Saudite në 26 tetor.

Gjithsesi, “lajmi i madh” ishte ai që nuk do të ketë transmetim të ndeshjes, dhe me gjasë as filmim të saj. E njëjta “skemë” si ndaj Arabisë Saudite me gjasë me kërkesë të Katarit që bëhet gati për në Kupën e Botës të cilën e organizon vetë. Kjo është miqësorja e parë e Shqipërisë për nëntorin, sepse në 16 të këtij muaji pret Italinë në “Arenën Air Albania” dhe në 19 luan ndaj Armenisë.

Sfidanti.al