Po luan në ekipin e zemrës, por jo gjithmonë ndjenjat mbizotërojnë. Armando Broja mund të jetë i detyruar të largohet nga Çelsi, madje që tani në janar, pasi klubi anglez ka plane të rëndësishme. Mediat raportojnë se sulmuesi kuqezi mund të sakrifikohet me anë të një formule që synon transferimin në Londër të Rafael Leaos. Sulmuesi i Milanit është një objektiv i madh i pronarit të Çelsit, Boehli, dhe i trajnerit Graham Poter, ndërsa kartoni i tij kushton jo pak, por rreth 120 milionë euro. Për këtë arsye, londinezët do t’i ofrojnë Milanit dy lojtarë për Leaon, pikërisht Brojën dhe sulmuesin amerikan, Pulishiç. Kartoni i shqiptarit, sipas vlerësimeve të mëparshme në Angli, shkon deri në 35 milionë euro, ndërsa Pulishiç arrin në rreth 38 milionë euro. Anglezët kanë si alternativë rezervë edhe sulmuesin tjetër, Hakim Zijeç.
Broja po luan sezonin e tij të parë me Çelsin, pas huazimeve në dy edicionet e kaluara tek Viteshe e Arnhemit në Holandë dhe tek Sauthemptoni në Premier Ligë. Ai është vlerësuar lart nga trajneri Poter, i cili ka theksuar se nuk dëshiron ta humbasë në janar, ndonëse shansi për të marrë Leaon është tepër i madh për t’u humbur. Sulmuesi 21-vjeçar i kombëtares shqiptare ka shënuar një gol dhe e ka justifikuar veten për aq minuta sa ka luajtur në Premier Ligë dhe në Champions.
Sfidanti.al