Pritja ishte e gjatë dhe padyshim dëshpëruese. Një ekip si Milani, që ka dalë 7 herë kampion i Europës e i lënë pas vetëm nga Reali i Madridit, nuk dëshironte ta shihte veten jashtë Championsit, apo të eliminuar që në pengesën e parë. Më në fund ia doli dhe fitorja 4-0 ndaj Salcburgut në “San Siro” i dha kalimin për në turin e dytë, madje në mënyrën më të mirë të mundshme. “U duk si në kohët e dikurshme”, shkruajtën mediat italiane pasi Zhiru shënoi 2 herë, si dhe realizuan Kruniç e Mesias. “Është e vërtetë që e hodhëm hapin e parë, – u shpreh trajneri Pioli, – por, ne jemi kampionë të Italisë, jemi Milani, dhe duhet të mendojmë që ta kalojmë turin e dytë për të treguar veten. E dimë se do të kemi përballë kundërshtarë shumë të fortë, por është diçka intriguese. Gjithsesi, tani le të kthehemi fort në Serinë A, duhen edhe 3 ndeshje”.
Jo më pak i lumtur drejtori sportiv, Paolo Maldini. “Jemi shumë të kënaqur, – tha legjenda, – ky ishte objektivi i klubit, i skuadrës dhe i trajnerit. Jemi të lumtur për mënyrën sesi e arritëm fitoren, për përgjigjen që dhamë. Le të kënaqemi me këtë kualifikim, por duhet të mendojmë për gjëra më të mëdha”. “Parajsë e Milanit, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Champions, arrihet turi i dytë pas 9 vitesh. Purgator i Juventusit”.
Sfidanti.al