Trajneri e do tek Çelsi, por Broja kërkon më shumë minuta!

“I zoti i punës” e do në skuadër. Armando Broja ka një aleat të fortë tek Çelsi dhe ky është trajneri Graham Poter. Mediat angleze informojnë se tekniku i Bluve të Londrës dëshiron që sulmuesi i kombëtares shqiptare të mbetet në ekipin e tij, dhe të mos jepet huazim në janar. Lajmet janë që dy klube të Premier Ligës, Evertoni dhe Njukasëlli, po interesohen për shërbimet e 21-vjeçarit madje sa më shpejt, ndonëse Poteri mund t’ia prishë planet. Trajneri i Çelsit dëshiron ta ketë Brojën si alternativë edhe pse sulmuesit kryesorë të ekipit janë Obamejang dhe Haverc, ndërsa konkurrenca është e madhe.

Poteri është kundër huazimit edhe nëse në ekip vijnë përforcime të tjera në janar. Vetë Broja, deklaroi një ditë para ndeshjes së Championsit ndaj Dinamos së Zagrebit se ai dëshiron të provojë veten tek Çelsi dhe se i pëlqen të ketë konkurrencë e të luftojë për një vend në formacion. Ai ka luajtur në 14 ndeshje për londinezët këtë sezon, por vetëm një herë si titullar. Opinioni në Angli është se shqiptari e ka justifikuar veten për minutat që ka qenë në fushë, dhe madje që duhet të aktivizohet më shumë.

Sfidanti.al