I mësuar me italishten e De Biazit e Rejës, si do ta mësojë Duka ukrainçen e Shevçenkos?!

Një emër vërtet i shquar. i tillë ai që mund të ulet në stolin e kombëtares shqiptare dhe që e ka emrin Andrij Shevçenko. Ish-ylli i madh i Milanit dhe i Ukrainës është në bisedime me Federatën Shqiptare të Futbollit, saktësisht me Armand Dukën, dhe ka shanse të mëdha që të jetë trajneri i ri kuqezi. Gjithsej, sipas burimeve pranë Federatës, janë katër kandidatë si pasardhës të Edi Rejës që praktikisht e ka mbyllur karrierën tek ne, ndonëse do ta drejtojë ekipin edhe në miqësoret e këtij muaji.

Shevçenko është 46 vjeç, ndërsa ka përvojë si teknik që nga viti 2016, fillimisht si ndihmës trajner tek Ukraina dhe po atë vit si trajner i parë i kombëtares së vendit të tij, që e drejtoi edhe në Euro 2020, që u zhvillua verën e vitit 2021. Së fundmi, ai ishte në stolin e Xhenoas në Serinë A në Itali, por nga ku u largua shpejt për mungesë rezultatesh. Aspekti financiar pritet të jetë i ngjashëm me kontratën e Rejës, ndonëse mund të jepen 50 apo 100 000 euro më shumë, e trajnerit do t’i duhet t’i paguajë vetë shpenzimet e udhëtimeve të të tij të punës. Ndër konkurrentët e tjerë kuqezinj është edhe Luixhi Di Biaxho.

Italiani është 51 vjeç dhe ka përvojë në drejtimin e ekipeve përfaqësuese, ndonëse në moshë më të vogël. Ai ka qenë trajner i Italisë U20 dhe Italisë U21, ndërsa për ndeshje drejtoi ekipin e të rriturve të Të Kaltërve derisa u caktua trajner Roberto Mançini. Në 2020, De Biaxho drejtoi për 15 ndeshje SPAL-in e Ferrarës në Serinë A, ndërsa përvojë tjetër me ekipet e klubeve nuk ka. Nuk dihet saktësisht se cili është kandidati tjetër italian, ndonëse më herët burime në Federatë kanë informuar se Duka ka pëlqyer gjithmonë Marko Xhampaolon, ish-trajnerin e Milanit dhe së fundmi të Sampdorias, por palët nuk kanë arritur akord për arsye financiare.

Përsa i përket trajnerit kroat, gjithmonë ka dyshime për faktin nëse është në garë, ndërsa thuhet se është me banim në Gjermani. Pritet që Duka të vendosë pas miqësoreve që kombëtarja do të luajë ndaj Katarit, Italisë dhe Armenisë gjatë nëntorit.

Sfidanti.al