Kryevepra e Igli Tares dhe e Sarrit u përmbys nga … Salernitana!

Po krijohej përshtypja për një skuadër që mund të luftonte me më të fortat, me Milanin, Napolin, por edhe me Interin, Juventusin e padyshim me Romën. E tillë dukej Lacio e trajnerit Mauricio Sarri dhe e drejtorit sportiv Igli Tare, pas disa sukseseve në Serinë A dhe në Europë, por ja që erdhi një “hundëbuzje” që zgjoi shumëkënd nga ëndrrat. Salernitana e vogël realizoi një fitore të madhe në stadiumin “Olimpiko” duke fituar 3-1 me përmbysje me vendasit! Në të vërtetë, renditja e tregon ekipin nga Kampanja jo edhe aq të vogël përderisa është diçka mbi mesin e tabelës, në vendin e nëntë me 16 pikë, duke qenë e para nga pjesa e poshtme e renditjes. Zakanji shënoi në 41’ për 1-0 për lacialët, por Kandreva (ish-lacial), Facio dhe Dia përmbysën shifrat. Lacio mbeti me 24 pikë duke humbur një mundësi të madhe për të qenë krah për krah me vendin e dytë të Atalantës dhe vetëm 5 pikë ndaj Napolit të kreut. Tani, diferenca është 8 po aq sa ajo e Interit.

Sfidanti.al