Në Itali ka “hosana” për Napolin, “ngrohtësi” për Interin, por dyshime për Juven!

Maradona do të vazhdonte të ishte krenar. Kështu mund të thuhet për atë që po bën Napoli këtë sezon, dhe jo vetëm në Serinë a, ndërsa hapi i radhës u hodh në Itali. Skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti, pasi fitoi 4-0 ndaj Sasuolos në stadiumin që mban pikërisht emrin “Maradona”, arriti në 13 triumfe radhazi, duke mos pasur asnjë humbje, në 50 gola të shënuar dhe vetëm 13 të pësuar. Yjeve që e kanë mbajtur lart deri tani u shtohet Viktor Osimhen, sulmuesi i kthyer nga dëmtimi dhe i kthyer në formë, që shënoi 3 gola. Një tjetër erdhi nga talenti gjeorgjan, Kvaratskelia, dhe festa ishte në ditën kur në stadium u përurua një tjeër statujë e Maradonës.

“Duhet t’i bëj një falenderim të madh skuadrës për këtë seri rezultatesh, – tha Spaleti, – nuk është e lehtë. Kundërshtarët luajnë shumë fort ndaj nesh. Gjithsesi, këtë herë i lamë shumë hapësira Sasuolos, duhej të ishim më mirë. Nuk e pashë vëmendjen dhe kujdesin e përhershëm. Duhet të jemi gjithmonë lart”.

Gjithsesi, në Serinë A nuk fitoi vetëm Napoli, por ia dolën edhe Interi me Juven. Zikaltërit tani kanë 4 fitore radhazi në kampionat pas suksesit 3-0 ndaj Sampdorias, ndërsa janë po 4 fitore radhazi në “San Siro”, bashkë me Championsin. “Jam i lumtur për paraqitjen, – tha ai, – 48 orë më herët ishim në fushë për një ndeshje vendimtare në Champions dhe nuk patëm shumë kohë për të marrë veten. Gjithsesi, kampionati do të jetë i gjatë dhe ekipet e tjerë janë të fortë, ndaj duhet të vazhdojmë kështu”.

Fitoi edhe Juventusi, por vetëm 1-0 në Leçe, dhe duke mos bindur. i riu Faxholi shënoi një gol shumë të bukur, që u krahasua me ata të Del Pieros, ndërsa në fund torinezët patën fat pasi Leçe goditi shtyllën. “Kur përfundon një cikël duhet kohë për t’u kthyer, – tha trajneri Alegri, – duhet durim. Ndonjëherë ia del më shpejt, ndonjëherë më gjatë. Gjëja e mirë që në ekip kemi lojtarë të rinj që po luajnë mjaft mirë. Të tjerë do të vijnë nga Shpresat. Kemi edhe shumë të dëmtuar”.

“La Gazeta delo Sport” komenton se Napoli dhe Osimheni po shkëputen, se Interi ka gjetur formulën me 3 gola, dhe se Juven e shpëtoi Faxholi”. Napoli kryeson Serinë A me 32 pikë, Interi ka 24, ndërsa Juventusi vetëm 22.

Sfidanti.al