Lacio kërkon kualifikimin në Europë, me kryeveprat e Sarrit dhe Tares!

Nuk është larg janari i kaluar kur dolën në publik raportet e tensionuara të dyshes në kryeqytet. Igli Tare rrezikoi shkarkimin për herë të parë në karrierën e tij si drejtor sportiv i Lacios, për shkak të përplasjeve me trajnerin Mauricio Sarri, por pa kaluar ende një vit situata është kthyer përmbys. Pikërisht dyshja që arriti deri aty sa të thoshte “o unë, o ai”, sot janë bashkëpunëtorët në krijimin e një skuadre që po habit Italinë dhe që ka pretendime edhe në Europë. Lacio e drejtuar nga Sarri në stol, dhe nga Tare e presidenti Lotito në tribunë, do të ndeshet sot në orën 18:45 me Mitjulandin e Danimarkës në Ligën e Europës, dhe një fitore mund ta afrojë me kualifikimin për në raundin e dytë. Fitorja fundjavën e kaluar 2-0 në fushën e Atalantës, jo vetëm që mori vlerësime të larta, por edhe e afroi ekipin kryeqytetas në vetëm 2 pikë nga Milani kampion dhe 5 pikë nga Napoli kryesues i Serisë A.

Vendi i tretë është një ëndërr në një kampionat ku janë edhe Interi, Juventusi e Roma, ndërsa rivalët e kryeqytetit janë lënë pas për momentin. E gjitha kjo, edhe pse shpenzimet për afrimin e lojtarëve ishin të vogla. Në verë, në skuadër erdhën 8 lojtarë të rinj si Romanjoli, Provedel, Markos Antonio apo Kançelieri, ndërsa operacioni i radhës i Tares duket ai për të marrë Fabiano Parizin nga Empoli në janar. “I falenderoj të gjithë, – thotë presidenti Lotito, – Sarrin, Taren, ekipin. Lacio është sot një ekip i madh, një klub i madh. Kemi hedhur themelet për diçka të madhe”. Tare ka 14 vjet si drejtues tek Lacio, pasi luajti për 3 vjet si futbollist, dhe ka provuar suksese si Kupën e Italisë apo Superkupën e Italisë. Me gjasë, me Sarrin mund të fitojë sërish.

Sfidanti.al