Për t’u larguar as që mendon. Edi Reja vërtet u zhgënjye shumë në Ligën e Kombeve, por si i thonë, “dite e re, fat i ri”. Në konferencën për shtyp para miqësores në Arabinë Saudite, trajneri i kombëtares u pyet nëse do të vazhdojë apo jo në stol. “Flitet shpesh për situatën time, – tha ai, – Unë e kam thënë se tek mosha ka rëndësi sidomos mendja. Ne jemi një skuadër që jemi në sintoni. Duhet t’i pyesni edhe lojtarët sesi ndihen me mua. Programi im me presidentin ishte që të synonim kualifikimin për në Europian, nëse do të kem mundësi. Do të doja që të arrinim tek objektivi i Europianit. Do të më pëlqente që të vazhdoja, por për këtë do të bisedojmë me presidentin. Kjo nuk varet vetëm nga unë”.
Gjithsesi, a është në gjendje Reja t’i thotë presidentit Duka se mund të kualifikohet për në Europian? “Po, këtë ia kam thënë Dukës shumë kohë më parë, që kjo skuadër po rritet, siç e parë në eliminatoret e Botërorit ku morëm 18 pikë dhe nëse ia dilnim ndaj Polonisë mund të ishim në plej of, – gjykoi ai, – Në Ligën e Kombeve nuk patëm fat, shumë lojtarë na munguan. Përse të mos i them “po” presidentit? Vullneti ynë është që të kualifikohemi, kjo varet nga situatat, por do të luftojmë. Polonia është e fortë, por besoj se me Çekinë mund të jemi të barabartë për të arritur objektivin”. E pra, italiani ia dha “asistin” për rinovim Dukës, por nuk dihet nëse “goli” do të realizohet”, pra nëse kreu i Federatës do të ketë dëshirë ta ketë emrin në tabelën e shënuesve.
Sfidanti.al