Liverpuli gjen “shërimin” në Skoci tek Rejnxhërsi, do shohim tani “redsat” e vërtetë?!

Më herët, trajneri Jurgen Klop iu përvesh ish-futbollistit të të kuqve, Didi Haman, për kritikat e tij personale. Më pas, Liverpuli doli në fushën e lojës në stadiumin e famshëm “Ajbroks Park” të Gllazgout ku papritur gjeti shërimin e pabesueshëm me fitoren 7-1 në Skoci ndaj Rejnxhërsit në Champions. “Redsat” shënuan më shumë sesa kishin bërë në 3 ndeshjet e mëparshme, iu afruan me vetëm 1 pikë kualifikimit, dhe tani shkojnë me shumë më tepër besim tek përballja me Mançester Sitin në “Anfild” këtë të diel në Premier Ligë.

Roberto Firmino ishte sërish “zotëria simpatik” që përmbysi rezultatin në 2-1, Daruin Nunjez më në fund realizoi, dhe Mohamed Salah vendosi një rekord të ri të Championsit me 3-golëshin në vetëm 6 minuta. Harvei Eliot e shënoi edhe ai emrin tek shënuesit. Klopi kishte lënë jashtë skuadre Aleksandër-Arnoldin dhe Salahun në stol, ndërsa titullarë ishin Cimikas, Gomez, Eliot dhe Karvaljo. Firmino ishte lojtari i ndeshjes me 2 gola, 1 asist dhe 3 raste të krijuara. “Nuk është keq të fitosh 7-1 këtu”, – tha Virgil Van Dajk që u kritikua për golin e skocezëve.

Sfidanti.al