Nëse Madridi është një makineri që sot prodhon lojë, por mezi e kthen këtë në gola, tek Barcelona e Ksavit shpesh ndodh e kundërta. Ekipi zhgënjen me futbollin e tij, siç ndodhi ndaj Vajekanos apo edhe në Milano ndaj Interit në Champions, e së fundmi në “Spotifaj Kamp Nou” ndaj Seltës së Vigos. Ndeshja e La Ligës megjithatë u fitua 1-0 dhe në kampionat mungesa e lojës nuk po i prish punë katalanasve. Gjithsesi, dyshimet janë dhe po ashtu kritikat kanë nisur. E përditshmja “Marka” shkruan se “Barça është me shumë dyshime përpara “El Klasikos” me Realin”, ndërsa sulmuesi i Seltës, Iago Aspas tha se “ata e vonuan lojën edhe në goditjet nga këndi”. Tifozët “blaugrana” mburren se “ne kemi Pedrin (autorin e golit) dhe Gavin”, por duket se kaq nuk mjafton. Barcelona ka 22 pikë në 8 ndeshje, po aq sa Reali, madje golaverazh më të mirë duke qenë në krye të La Ligës.
Sfidanti.al