Barazimi me Islandën, “t’i falemi” Rusisë që nuk ramë nga kategoria!

Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk mbylli siç duhet edicionin e Ligës së Kombeve, ndërsa u rendit në bisht të grupit të saj pas barazimit 1-1 me Islandën. Me gjasë, në ndeshjen e fundit të Edi Rejës në stolin kuqezi, ekipi përfaqësues ishte pranë fitores, por sërish nuk bindi dhe barazimi mund të quhet edhe fat. Pavarësisht se kaluam të parët në epërsi në 35’ me Ermir Lenjanin, pavarësisht se islandezët mbetën me 10 lojtarë që në 11’ (karton i kuq për Gunarsonin), sërish në fushë u duk sikur ishin miqtë në epërsi numerike.

Islanda pati 58 për qind mbajtje topi, 21 gjuajtje drejt portës ndaj vetë 7 të ekipit tonë, edhe pse vetëm 4 në kuadrat ndaj 5 për ne. Kornet ishin 5-14! Kjo tregon qartë sesa pak energji dhe besim, dhe sa pak lojë kolektive pati Shqipëria. Në fund, ishullorët morën atë që meritonin me golin e Andersonit fare në fund. Duhet “të falenderojmë” Rusinë që nuk ramë nga Niveli B i Ligës së Kombeve për në C, sepse edhe pse të fundit, nuk do të binte kush nga grupi ynë që mbeti me 3 skuadra.

Shqipëri-Islandë 1-1 (Lenjani 35’, Anderson 90’)

Shqipëria (4-3-3): Strakosha, Balliu, Ismajli, Veseli, Lenjani (Hysaj 77’), Ramadani, Gjasula (Mihaj 83’), Abrashi (Laçi 69’), Uzuni, Cikalleshi (Broja 69’), Bajrami (Çokaj 83’).

Sfidanti.al