Shqipëri, merr shembull nga Kosova “europiane” e Alen Zhiresit!

Dikur, gjatë Kampionatit Europian të vitit 1996, pasi Italia e Sakit vuajti tmerrësisht në grup derisa u eliminua, “La Gazeta delo Sport” nxorri një pyetje nga shpirti: A mundemi të zhvillojmë një ndeshje si ajo e Anglisë ndaj Holandës (4-1), një ndeshje totale që të kënaqë tifozët? Nuk ishte faji i Sakit, që nuk ndodhi, ndërsa sot ne, gazetarët e Shqipërisë, kemi një pyetje që gjithashtu na del nga thellësia e shpirtit: Pse nuk mundemi të luajmë futboll si Kosova?

Edhe pse nuk ka yje me më shumë emër sesa të Shqipërisë, sërish skuadra më e re shqiptare vazhdon të jetë përshtypjelënëse. Fitorja 5-1 ndaj Qipros ishte domethënëse, ashtu si vendi i dytë në grup në Nivelin C, pas Greqisë së fortë. Jo vetëm kaq, por Kosova shënoi 11 gola ndaj 10 të grekëve (dhe vetëm 4 të Shqipërisë). Ekipi ka 3 lojtarë nga Superliga e Turqisë, 2 nga Liga e Parë e Francës, dy nga Superliga e Zvicrës, dy nga Bundesliga e dytë, një nga kategoria e dytë në Angli dhe vetëm Muriqi luan në një kampionat të madh si La Liga në Spanjë. Shqipëria në të kundërt ka disa në Serinë A, ka Brojën e Strakoshën në Premier Ligë, Baren në La Ligë, Laçin në Ligën e Parë të Francës, ka Çekiçin në Superligën turke, Manajn në kategorinë e dytë angleze apo Uzunin në ligën e dytë në Spajnë! Gjithsesi, Kosova luan sipas mentaliteti të trajnerit të saj, Alen Zhires, që ishte një përfaqësues i bukur i Francës së bukur të viteve 80-të, ndërsa ne sipas stilit të kujdesshëm italian, por edhe këtë nuk po e bëjmë fort e mirë si dikur me De Biazin.

Kosova-Qipro 5-1 (Muslija, Rrudhani, Reshani, Muriqi, Muriqi)

Kosova (4-3-3): Ujkani, Hadërgjonaj, Rrahmani, Kryeziu, Rrudhani, Muslija, Fazlliji, Celina, Rashani, Muriqi, Zeneli.

Sfidanti.al