Mungesa dhe dyshime në sulm, por kombëtarja nuk thërret Sadikun!

Duhej të ishte shpresa e madhe. Myrto Uzuni është sulmuesi shqiptar më në formë në këtë moment, por pikërisht ai mund të mos e ndihmojë kombëtaren në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Futbollisti që ka realizuar 6 herë në ligën e dytë spanjolle, që është golshënuesi më i mirë i atij kampionati, ka shfaqur probleme fizike ndërsa është bashkuar në grumbullim në “Tropikal” të Durrësit. Pjesëmarrja e tij në sfidat ndaj Izraelit dhe Islandës është në dyshim, ndërsa trajneri Edi Reja do të presë deri në momentin e fundit. Italiani i stolit ka thirrur ndërkaq një sulmues tjetër, dhe ky është Eljon Toçi, që luan për ekipin Shpresa të Fiorentinës në Itali. Futbollisti është tepër i ri, vetëm 19 vjeç, e kuptohet që nuk ka përvojë, ndërsa Reja shqetësohet edhe për mungesën e Manajt dhe faktin që nuk është thirrur Xhakomo Vrioni.

Nuk dihet nëse trajneri kuqezi do të mendojë për të forcuar sulmin me ndonjë tjetër lojtar nëse Uzuni nuk ia del, dhe nëse në listën e tij mund të jetë emri i Armando Sadikut, njërit prej shënuesve më të mirë në historinë e kombëtares, që po kalon formë të shkëlqyer në ligën e dytë të Spanjës, po aty ku luan Uzuni. Kombëtarja ka qenë krejtësisht pa fat në prag të ndeshjeve të 24 e 27 shtatorit, pasi mungon më shumë se gjysma e formacionit. Keidi Bare dhe Endri Çekiçi ishin “të skartuarit” e radhës, edhe ata për shkak dëmtimi. Më herët diheshin mungesat e Kumbullës, Gjimshitit, Manajt dhe Dermakut.

Sfidanti.al