Hallet e kombëtares, Bare dhe Çekiçi i bashkohen “viktimave” të dëmtimeve!

Dihej që do të ishim të dhjetuar, por gjendja u bë edhe më e keqe. Kombëtarja shqiptare do të ketë edhe dy mungesa të tjera të sigurta në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës, e këta do të jenë Keidi Bare dhe Endri Çekiçi. Mesfushorët e rëndësishëm kuqezinj janë të dëmtuar, dhe lojtari i Espanjolit nuk udhëtoi fare drejt Shqipërisë. Bare do të vazhdojë riaftësimin në Spanjë dhe nuk do të jetë në asnjërën prej sfidave. Çekiçi, ndërkaq, mbërriti në kompleksin “Tropikal” në Durrës pas ndeshjes së shkëlqyer që zhvilloi për Konjasporin ndaj Gallatasarajit në Superligën e Turqisë. Mesfushori u kërkua nga trajneri Edi Reja që të kalonte vizitën mjekësore në kombëtare, dhe kështu ndodhi. Më pas, Çekiçi u kthye në Turqi sepse u bë e qartë se ai nuk mundet të ndihmojë ekipin.

Mungesat e tjera diheshin që më parë. Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti apo Kastriot Dermaku nuk do të jenë në mbrojtje, gjithashtu për shkak dëmtimesh, diçka që pritet të krijojë probleme të mëdha. Me gjasë, Reja mund të kthejë në mbrojtje Gjasulën që po luan në këtë rol edhe tek skuadra e tij e Darmshtatit në Bundesligën e dytë në Gjermani. Në sulm gjithashtu ka mungesa siç është Rej Manaj, që është i lënduar. Kombëtarja vazhdon grumbullimin, ndërsa pasdite sot bashkohen me ekipin edhe lojtarët e tjerë si Strakosha, Mihaj, Balliu, Çokaj e Muçolli.

Sfidanti.al