Lajmi i mirë për Bajernin është që Sane është kritiku i vetvetes!

Ka qenë një “gur i çmuar i papërpunuar” për pjesën më të madhe të karrierës që për hir të së vërtetës nuk e ka pasur edhe aq të gjatë. Është ende i ri Leroi Sane, por frika ishte që mund të digjej si shumë yje të tjerë premtues, por jo të përkushtuar sa duhet për futbollin. Gjithsesi, kohët e fundit talenti gjerman duket se ka ndryshuar dhe mediat “teutone” e kanë theksuar këtë gjë. Edhe pse shënoi gol ndaj Barcelonës në Champions, edhe pse ishte një “halë në sy” për katalanasit gjatë gjithë kohës, Saneja u bë kritiku i vetës. “Dakord, – thotë ai, – shënova gol, sot ishte mirë, por ama unë mund të kisha luajtur më mirë. Në pjesën e parë, ne lojtarët e sulmit nuk e ndihmuam mbrojtjen sa duhet, ne nuk i krijuam hapësira vetes sepse nuk lëvizëm sa duhet. Po ashtu nuk e mbajtëm topin siç duhet dhe as nuk ishim të guximshëm”.

Sfidanti.al