Disfatën e fundit me gjasë e kanë harruar se kur u ka ndodhur. Ua kujtojnë statistikat që thonë se Bajerni i Mynihut ka 30 ndeshje radhazi pa humbje në fazën e grupeve në Champions, madje 27 fitore e vetëm 3 barazime. Vetëm një ekip i tillë mund ta bëjë këtë. Për herë të fundit, bavarezët kanë dalë nga fusha të mundur në 27 shtator 2017, në një rezultat 0-3 në “Parkun e Princave” ndaj Paris SG, pra 5 vjet më parë. Sonte mundën Barcelonën 2-0 në “Grupin e Vdekjes” duke kryesuar me 6 pikë të plota, edhe pse në “Alianc Arenë” nuk e patën të lehtë.
Katalanasit e mbajtën më shumë topin, 53 me 47 për qind, dhe patën më shumë raste sidomos në pjesën e parë. Gjuajtjet ishin 18-13 për miqtë, edhe pse në portë ishin barazim 4-4, po i njëjti rezultat edhe në goditjet nga këndi. Gjithsesi, skuadra e Ksavit tregoi një lloj mungese “rafinimi” sepse humbi shanset, sidomos me Levandovsin, si dhe bëri disa gabime që sollën golat e gjermanëve. Siç thotë Pedri, “rezultati të gënjen, pasi ne zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, por humbëm raste dhe ndaj një rivali të tillë mund të ndëshkohesh”. Bajerni shënoi me Lykas Hernandezin në 50’ dhe Leroi Sanenë në 54’.
Bajerni (4-2-3-1): Nojer, Pavar (Mazraui 21’), Upamekano, Lykas Hernandez, Dejvis, Kimih, Zabicer (Gorecka 46’), Sane (Tel 80’), Myler, Musiala (Gravenberh 80’), Mane (Gnabri 70’).
Barcelona (4-3-3): Ter Shtegen, Kunde, Arauho, Kristensen (Erik Garsia 70’), Alonso, Gavi (De Jong 61’), Buskets (Kesie 81’), Pedri, Rafinja (Ferran Torres 61’), Levandovski, Dembele (Ansu Fati 80’).
Sfidanti.al