Lamtumira e Serenës thyen çdo rekord në televizionin amerikan

Ishte e pritshme që interesimi të ishte i madh, dhe jo më kot turneu është në SHBA. Lajmi se Serena Uilliams, një legjendë amerikane, do të mbyllte karrierën pikërisht në US Open bëri që njerëzit të blinin më shumë bileta për në Arenën “Arthër Ejsh” (Arthur Ashe), si dhe t’i ndiqnin më shumë ndeshjet e tenisit nga televizori. Siç pritej, audienca më e madhe ishte ajo e sfidave të Serenës 40-vjeçare, edhe pse ajo sot nuk është në kulmin e formës. Ndeshja e fundit, ajo e humbur ndaj australianes (me origjinë kroate) Ajla Tomljanoviç, theu rekordin historik të televizionit amerikan ESPN, pasi u ndoq nga 4.6 milionë teleshikues. Kulmi arriti në 6.9 milionë. Rekordin në historinë 43-vjeçare të ESPN-së e mbante finalja e Uimbëlldonit e vitit 2012, ku Rozher Federer fitoi ndaj britanikut Andi Marrej.

Sfidanti.al