Dinamo e Zagerbit me buxhet astronomik për Ballkanin (60 milionë euro), por 10 herë poshtë Çelsit!

Arritja është vërtet e madhe, dhe kishte të drejtë trajneri i kroatëve, Ante Çaçiç, që thoshte para ndeshjes se “diferenca në buxhet është e madhe, por në futboll paraja nuk është gjithçka”. Kështu ndodhi që Dinamo e Zagrebit hodhi “tuç” Çelsin e madh e të fuqishëm në Ligën e Kampionëve! Bravo u qoftë zagrebasve apo siç thonë kroatët “svaka im čast”! “Të kaltrit” (modri) kanë një buxhet të jashtëzakonshëm për Ballkanin, 60 milionë euro, dhe 90 për qind e tij sigurohet nga transferimi i lojtarëve apo të tjera, ndërsa një përqindje të caktuar ua jep pushteti vendor. Asnjë klub në Gadishull, duke përfshirë Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë apo Rumaninë (pa llogaritur Greqinë) nuk arrin deri këtu, por sidoqoftë, e gjitha kjo duket diçka “lilipute” krahasuar me Çelsin që ka të ardhura vjetore prej 586 milionë USD (sipas revistës “Forbs”), dhe një vlerë klubi prej 3.1 miliardë USD.

Sfidanti.al