Ndeshja u humb, por ai të vetën e fitoi. Nuk mund të thuhet ndryshe për paraqitjen e Armando Brojës për Çelsin, edhe pse luajti vetëm rreth 25 minuta. Sulmuesi i kombëtares shqiptare hyri në lojë në pjesën e dytë, por siç theksuan tifozët, bëri më shumë se yjet e tjerë blu edhe pse luajti shumë më pak në disfatën 1-2 në Premier Ligë në fushën e Sauthemptonit. Futbollisti 20-vjeçar, edhe pse nuk iu dha shumë mundësia, tregoi disa nga elementët e repertorit të tij, qoftë teknikisht, fizikisht dhe për progresionin në vrapim. Ai që ka qenë publiku i tij e priti mjaft ngrohtë në stadiumin “Sent Meri”, edhe pse Broja hyri në fushë si kundërshtar i ish-ekipit të tij, Sauthemptonit.
Përkrahësit e Bluve të Londrës u hodhën në rrjetet sociale duke lavdëruar shqiptarin. “Broja me siguri do të jetë titullar në ndeshjen e ardhshme”, shkruante njëri prej tyre. “Tuheli duhet të aktivizojë Brojën, ai ka një “bishë” të vërtetë në ekip”, është mendimi i një tjetri. “Broja në pak minuta që hyri në fushë bëri që sulmuesit tanë të tjerë të duken të rëndomtë”, – vazhdonte një i tretë.
Lojtari kuqezi ka luajtur pak këtë sezon për Çelsin, por tifozët nuk i harrojnë ato që ai bëri sezonin e kaluar për Sauthemptonin. Në ndeshje të caktuara në Premier Ligë apo edhe në Kupën e Anglisë, Broja tregoi cilësi të rralla individuale, që shumë pak sulmues të tjerë në ishull mund t’i kenë. Ndoshta do t’i tregojë edhe në “Stemford Brixh” nëse do t’i jepet mundësia.
Sfidanti.al