Luiza Gega kërkon rekordin 9’07” në Bruksel, një nga kohët më të mira të historisë!

Gara e fundit e vitit është në 2 shtator. Luiza Gega shkon në Çmimin e Madh të Brukselit si kampione e Europës në fuqi, e si rekordmene e Mesdheut dhe e Ballkanit, ndërsa objektivin e ka sërish tepër ambicioz. Ndërsa përgatitet në pistën e re të atletikës në kryeqytet, sportistja më e mirë e momentit në Shqipëri, ka si synim të thyejë rekordin kombëtar, pra edhe atë mesdhetar e ballkanik në garën e saj të preferuar, atë të 3 000 metrave me pengesa. Nga koha 9’10”04 që Gega arriti në Kampionatin Botëror në Oregon të SHBA-së, ajo mendon se mund ta ulë rezultatin në rreth 9’07” në pistën në Belgjikë në konkurrimin e Ligës së Diamantit.

Optimizmi është i madh për vetë faktin se 33-vjeçarja është në formë të shkëlqyer, dhe se di të jetë krejtësisht pa presion sepse arriti gjithçka këtë vit. Nëse kampionia e Europës ia del me kohën 9’07”, atëherë ajo jo vetëm që do të fitonte 3 sekonda, por edhe do të bënte që rekordi i Shqipërisë të ishte më i miri në kontinent pas atyre të Kazakistanit, Rusisë dhe Gjermanisë. Po ashtu, ajo do të hynte në 18 kohët më të mira të të gjitha kohëve në këtë garë. Në 2022, Gega doli kampione e Ballkanit, kampione e Mesdheut, kampione e Europës dhe e pesta në botë, që janë rezultatet më të mira të atletikës shqiptare për të gjitha kohët.

Sfidanti.al