Nderimi (i merituar) i Luizës e Markut, dhe harresa për sportin e fëmijëve!

Në vetëm pak ditë pati shumë bujë në pritje protokollare të dy kampionëve të sportit, madje me bast pati me shumë sesa vetë buja e rezultateve të tyre. Nuk dua t’i hyj në analizë sukseseve të Luiza Gegës dhe Florian Markut, sepse janë të ndryshëm, por dua të theksoj se ky “emërues i përbashkët”, pra pritja nga kryeministri, kryetari i bashkisë dhe disa ministresha, po kthehet në një “modë” të rrezikshme për sportin, po aq të rrezikshme sa finalja e Ligës së Konferencës që u zhvillua në “Arenën Air Albania”.

Ashtu siç e tha atëherë Profesor Doktor Albert Karriqi, dhe ashtu siç e thonë çdo ditë njerëzit e sportit, Shqipërisë sportive i janë shkatërruar themelet vit pas viti, ndërsa nuk po vendoset asnjë “tullë” për të ndërtuar themele të reja. Jo vetëm sepse sipërfaqet sportive për frymë popullsie janë tkurrur dhe jemi në bisht në Ballkanit, por edhe sepse vonojmë në çdo iniciativë (si pista e atletikës), ose gabojmë rëndshëm (si fushat e basketbollit nëpër shkolla në Tiranë, që janë më të vogla sesa standardi), ose bëjmë gjëra që nuk kanë logjikë, siç ishte pista e dytë e hapur e tartanit në Korçë, që është aq e keqe saqë Luiza Gega nuk shkon asnjë minutë të stërvitet aty, ndërsa duhej një pistë e mbyllur.

Dikur, në vitet e largëta 30-të të shekullit të kaluar, një shkrimtar simpatik shqiptar, Nonda Bulka (Kri-Kri (Chri-Chri),pseudonimi) shpotiste ceremonitë e Ditës së Flamurit, duke theksuar se fjalimet çdo vit janë identike dhe përsëriten gjithnjë togfjalëshit “plaku i Vlorës”, “dita e shënuar”, “Shqipëria e vuajtur” etj. Kështu janë edhe fjalimet e lodhura të shtetarëve tanë që sportin e mendojnë vetëm disa minuta në vit. Nga ana tjetër, vetë njerëz si Luiza, Erkandi, Brikeni, Izmiri, Alban Xhaferi apo edhe Florian Marku duhet ta shfrytëzojnë faktin që kthehen në heronj të publikut dhe të luftojnë jo vetëm për vete, por sidomos të jenë tribunë të atyre fëmijëve dhe të rinjve që duan të ndjekin sportin dhe të bëhen si ata.

Sfidanti.al