Mbeten edhe pak ditë, por duket se përfundimi do të jetë i suksesshëm. Nedim Bajrami mund të mendohet me fanelën e Fiorentinës, ndonëse në Itali theksojnë se për të interesohet edhe një tjetër klub i Serisë A. Bëhet fjalë për Sasuolon që e ka dashur edhe më parë mesfushorin e kombëtares shqiptare dhe që po mendon sërish për të. Trajneri i Sasuolos, Dionizi, e cilëson si futbollist me cilësi shumë të mira, por thekson se ende nuk i përket ekipit të tij. Fiorentina, gjithsesi, duket një hap më përpara. Mediat italiane kishin theksuar se klubi nga Firence do ta merrte Bajramin nëse arrihej kualifikimi për në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Suksesi në Europë u realizua pas barazimit 0-0 në fushën e Tventes në Holandë, dhe Fiorentina tashmë do të ketë edhe më shumë financa në dispozicion, por edhe do t’i duhet një skuadër me më shumë lojtarë për të përballuar një sezon të ngarkuar. Bajrami pati një edicion shumë të mirë tek Empoli në 2021-2022 duke shënuar 9 gola, nga të cilët 6 në Serinë A dhe 3 në Kupën e Italisë si dhe duke shërbyer 5 asistë, që të gjithë në kampionat.
Sfidanti.al