Çfarë “opiumi” piu Dortmundi që pësoi 3 gola në 6 minutat e fundit

Dikush në Tuiter, me gjasë tifoz i Bajernit, u tall me verdhezinjtë se “pa Zylen u pësua vetëm 1 gola në dy ndeshje e 60 minuta, ndërsa me Zylen në fushë u pësuan 3 gola në vetëm 6 minuta”. Gjermania është një vend serioz dhe Bundesliga e saj është gjithashtu një kampionat mjaft dinjitoz, por nuk ishte aspak me dinjitet humbja e Dortmundit në fushën e vet me Verderin. Deri në 89’, e cilësuara si rivale e Bajernit ishte 2-0 në epërsi, ndërsa nga minuta e parafundit deri në të pestën shtesë harroi të luante futboll me Verderin që fitoi 3-2. “Çfarë shitjeje e ndeshjes”, thirri dikush në një lokal bastesh në Tiranë, një pasqyrë tipike e një vendi ku ligji thuajse nuk ekziston, ku jeta, pasuria dhe meritokracia luhen në kumar dhe në njohjet shoqërore-partiako-nepotike. Gjithsesi, pa arritur në dyshime të tilla, Dortmundi e bëri veten qesharak dhe tashmë do të tallen duke e quajtur “anti-Bajern”. Kjo, edhe duke pasur parasysh se futbolli në Gjermani mbetet shumë sportiv!

Sfidanti.al