Sherri Konte-Tuhel mishëron emocionet e skajshme të Premier Ligës

Xhemi Karrager, në rolin e opinionistit, u tregua i sinqertë dhe thirri me kënaqësi. “Këto skena më pëlqejnë dhe dua që të përsëriten, – tha ish-mbrojtësi i Liverpulit, – çfarë kampionati që kemi, emocione të fuqishme dhe nuk mund t’i heqësh sytë nga ndeshja për asnjë minutë. Një luftë e vërtetë”. Fjala ishte për përplasjen deri edhe fizike mes Antonio Kontes dhe Tomas Tuhelit, me të dy trajnerët që u përjashtuan me kartona të kuq në fund të derbit Çelsi-Totenhem. Përfundoi 2-2, dhe dy trajnerët patën disa momente përplasjeje, edhe sepse festuan golat përpara fytyrës së njëri-tjetrit. Totenhemi barazoi në 96’ me golin e Harri Kejnit, dhe në fund ishte Tuheli më i mërzituri. “Vetëm ne meritonim të fitonim, – tha ai, – ata bënë kaq shumë faulla taktikë, si Hojbjerg dhe Betankur. Që kur lejohet të tërheqësh tjetrin për flokët? Kjo është qesharake”. Konte ishte më pozitiv. “Nuk kam asnjë ndjenjë të keqe ndaj Tuhelit dhe besoj as ai ndaj meje, – theksoi italiani, – ne luftuam për ekipet tona”. Çelsi kaloi dy herë në avantazh me anë të Kulibalit dhe Xhejmsit, ndërsa Spërsat barazuan me Hojbjergun dhe Kejnin. Tuheli pretendoi se që të dy golat e miqve ishin të parregullt.

Sfidanti.al