“Tangoja” e sundimit të ligjit në “xhunglën” e FSHF-së, politikës dhe gjykatave të pavarura!

Dyshimi ishte i madh që mund të ndodhte. Armand Duka vërtet e fitoi një tjetër mandat në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), por që pas Asamblesë pati zëra se beteja me politikën nuk kishte përfunduar. Kjo duket se doli e vërtetë sot kur u mësua vendimi i Gjykatës së Tiranës për të mos njohur zgjedhjet e zhvilluara në 15 mars. Edhe pse nuk ka konfirmim nga vetë gjykata për vendimin e gjykatëses Anila Karanxha, e po ashtu as nga Federata, sërish mund të themi se konflikti vazhdon. Burime nga Federata theksojnë se në të vërtetë nuk ka asnjë vendim dhe se të gjitha këto janë vetëm fjalë. Ditët në vazhdim me gjasë do të sqarojnë gjithçka.

Sidoqoftë, pas Asamblesë së marsit, burime pranë njerëzve me pushtet politik theksuan për televizionin se armëpushimi mes futbollit dhe politikës ishte vetëm i përkohshëm. Shkak për këtë armëpushim u bë finalja e Ligës së Konferencës që u zhvillua në “Arenën Air Albania” në kryeqytet mes Romës dhe Fejënordi, e nëse konflikti do të vazhdonte UEFA mund t’ia hiqte Shqipërisë këtë ndeshje. Kjo do të kishte qenë një goditje e rëndë për imazhin e vendit, ndërsa pritej që gjithçka të rifillonte më pas. Edhe këto lajme mbi gjykatën duket se janë në vazhdën e kësaj logjike.

Sfidanti.al