U arrit maksimumi. Luiza Gega shkëlqeu si kurrë ndonjëherë dhe pikërisht atëherë kur duhej, në garën më të rëndësishme të jetës, duke dalë e pesta në planet. Kampionia shqiptare la pas plot 11 rivale në finalen e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Botëror të atletikës që zhvillohet në Juxhin të SHBA-së, ndërsa realizoi një kohë të jashtëzakonshme. Gega zuri vendin e pestë me 9’10”04, duke fituar garën që mund të fitohej pasi 4 vrapueset përpara saj ishin në një nivel për momentin të paarritshëm. Ajo theu rekordin kombëtar me gati 5 sekonda, pasi koha e mëparshme, vendosur në Lojrat Olimpike, ishte 9’14’91. Rrallë ndonjë atlete në histori ka arritur të bëjë një përmirësim të tillë. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, u shpreh se ky ishte objektivi maksimal për Luizën, cak i vendosur që në fillim të vitit.
Përmirësimi në krahasim me Botërorin e kaluar të 2019-ës është i ndjeshëm pasi 3 vjet më parë, Gega doli e 9-ta në finale. Tashmë, synimi është medalja e artë në Kampionatin Europian që nis në 15 gusht në Mynih të Gjermanisë, dhe në bazë të rezultatit të arritur në Oregon, 33-vjeçarja mund të cilësohet favorite për t’ia dalë. Atletja më e mirë Europiane në Botëror, britanikja Prat, ishte më shumë se 5 sekonda prapa Gegës. Gjithsesi, Gega dhe trajneri i saj kanë edhe një cak më të largët dhe shumë më ambicioz. Në 2024, zhvillohej Lojrat Olimpike në Paris, dhe objektivi është që të luftohet për medalje, edhe pse Luiza do të jetë 35 vjeç. Kampione e botës doli Nora Xheruto e Kazakistanit, atlete me origjinë keniane, me 8’53”02, një rekord i kampionatit botëror dhe koha e tretë më e shpejtë në histori.
Sfidanti.al