Kosovare Asllani në Europian, një asist çdo ndeshje nga shqiptarja e Suedisë!

Ky mbiemër është i njohur në Lombardi. Pasi Kristjan Asllani po shkëlqen për Interin, është edhe Kosovare Asllani që ka ndezur shpresat tek skuadra e femrave të Milanit. Gjithsesi, vajza me origjinë shqiptare ka një tjetër detyrë këtë verë, përpara sesa të nisë sezoni në Serinë A. Asllani po udhëheq kombëtaren e Suedisë në Kampionatin Europian të femrave që zhvillohet në Holandë, dhe gjasat janë për diçka të madhe. Sulmuesja 32-vjeçare shkëlqeu në fitoren 5-0 ndaj Portugalisë, në fazën e grupeve, duke shënuar njërin nga golat e duke asistuar një tjetër.

Përvoja e saj është e madhe, por gjithashtu Suedia ka një skuadër të kompletuar ndaj edhe mund të pretendojë titullin e parë kontinental që nga viti 1984, dhe të dytin gjithsej. Nuk do të jetë aspak e lehtë, veçse një ekip që zë vendin e parë në grup duke lënë pas kampionen në fuqi të Europës, Holandën, padyshim që mund t’ia dalë. Sfida e parë pas grupeve vjen në çerekfinale, me duelin ndaj Belgjikës në 22 korrik në një stadium në Londër, e në rast suksesi do të duhet të përballohet me gjasë Anglia vendase në Shefild. Ëndrra e madhe është të arrihet në finalen e “Uemblit” në 31 korrik, diçka që Suedia e ka bërë kur Kosovare Asllani ishte vetëm 11 vjeç, në 2001.

Sfidanti.al