Tiranës i rrofshin 1 miliardë lekët e fituara, me humbje është “e treta, e vërteta”!

U mendua se do të kishte një reagim përballë një kundërshtari serioz, por poshtë nivelit të atij që e eliminoi nga Championsi. Nuk qe e mundur as këtë herë për Tiranën që u mund në “Arenën Air Albania” nga Zrinjski i Mostarit në Ligën e Konferencës, me kroatët e Bosnjë-Hercegovinës që arritën fitoren 1-0 falë një penalltie të gjuajtur saktë në 12’ nga Nemanja Bilbija. Ekipi që dikur eliminonte Varteksin e Varazhdinit pikërisht të Kroacisë dhe NK Goricën e Sllovenisë, e bëri “e treta, e vërteta” me humbjet. Kjo, jo sepse ndryshoi ndonjë gjë në ndeshjen e tretë, por sepse ndodhi disfata e radhës pas atyre 0-1 dhe 1-2 ndaj Dudelanzhit luksemburgas.

Nuk dihet se cili do të jetë fati i trajnerit Orges Shehi, por është e sigurt që drejtuesit e klubeve shqiptare nuk kanë kurrë durim, dhe nuk arrijnë të krijojnë një strategji dhe një projekt afatgjatë. i vetmi që e bëri, Skënderbeu i Korçës, arriti suksese të mëdha, por pati përfundim të keq. Ndaj Zrinjskit, bardheblutë sërish patën zotërim topi, por jo qartësi para portës dhe madje kundërshtari pati më shumë gjuajtje dhe raste. Fatkeqësi që kjo i ndodh ekipit kampion të Shqipërisë, që dominoi Superligën sezonin e kaluar. Natyrisht, ende ka shpresë për kualifikim, por duket e vështirë.

Tirana (4-3-3): Bekaj, Behiraçe, Najdovski, Toshevski, Ismailgeci, Aleksi, Limaj, Qefalia, Hasani, Xhixha, Seferi. Tr. Shehi

Sfidanti.al