Nëse i hedh një sy të kujdesshëm, skuadra bavareze këtë verë nuk është edhe aq në krizë. Trajneri Julian Nagelsman ka siguruar sulmuesin që donte, Sadio Manenë, po ashtu dy përforcime si Mazraui apo Gravenberhu, ndërsa kontratat dihet se janë rinovuar nga futbollistë të rëndësishëm si Manuel Nojer, Leon Gorecka, Xhoshua Kimih, Tomas Myler apo Kingsli Koman. Nëse Robert Levandovski duket se do të largohet, një tjetër lajm i mirë vjen për bavarezët pasi Serg Gnabri duket se nuk do të largohet për në Premier Ligë, por do të rinovojë kontratën. Ylli ofensiv duket se e ka kuptuar me vonesë e Bajerni po bën një sakrificë për të, duke ia rritur rrogën nga 9 në 17-19 milionë euro në sezon, pra duke ia dyfishuar. Ende nuk ka firmë të hedhur në letër, por revista “Kiker” thotë se gjasat janë të mira për rinovim deri në 2027.
Sfidanti.al