Lautaro shënon, Handanoviç pret dhe Asllani dirigjon, Interi i ri nis me një poker! Ky ishte komenti i “La Gazeta delo Sportit” pas fitores 4-1 të zikaltërve në miqësoren ndaj Luganos, e para ndeshje e vërtetë përgatitore e verës. Lautaro Martines realizoi dy gola, shënuan edhe D’Ambrozio e Korrea, ndërsa mesfushori shqiptar bindi me lojën e tij në regji. Në moshën 20-vjeçare nuk e ka aspak problem që ka veshur një fanelë “të rëndë” si kjo e Interit. Asllani bëri lëvizje shumë të mira, organizoi lojën, dha topin për golin e D’Ambrozios, dhe deshi të gjuante dy goditje dënimi në pjesën e parë, por nuk u lejua nga Lukaku. Në fund, trajneri Inzagi e zëvendësoi, dhe shqiptari shtatshkurtër mori brohoritje më shumë edhe se Lukaku, më shumë se të gjithë.
Sfidanti.al