Pikëtakimi është ai i përhershmi. Tirana i shet biletat e ndeshjeve të saj në sportelin e vendosur brenda rrethimit të jashtëm të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe aty do të mund të blihen edhe ato për ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminator në Champions. Klubi bardheblu ka publikuar çmimet e kartave hyrëse për në “Arenën Air Albania”, dhe ato shkojnë nga minimumi 500 lekë të reja, deri në 3 000 lekë. Ndeshja luhet të martën në Arenë në orën 20:00 dhe biletat në tribunën VIP janë pikërisht 3 000 lekë, ato në dy tribunat e tjera kryesore arrijnë në 2 000, në tribunën përballë mund të blihen 700 lekë, ndërsa në ato pas portave, ku përfshihen edhe tifozët miq, arrijnë në 500 lekë. Shitja e tyre do të bëhet çdo ditë në sportelin e “Selman Stërmasit” nga ora 11:00 deri në 19:00. Tirana synon kualifikimin për në raundin e dytë eliminator në Champions, por për t’ia dalë duhet të përmbysin humbjen 0-1 të pësuar në ndeshjen e parë në Luksemburg ndaj Dudelanzhit. Ekipi mik, edhe pse i përket një vendi shumë të vogël, ka ndryshuar shumë vitet e fundit madje duke u futur dy herë në fazën e grupeve në Ligën e Europës në 2018 e 2019.
Sfidanti.al