Gjokoviç në finalen e Uimbëlldonit duke thyer rekordin e Federerit!

Tenisti serb realizoi një tjetër sukses të madh në karrierë, edhe pse i duhet edhe një fitore për Grand Slemin. Novak Gjokoviç kaloi britanikun Kameron Norri për të arritur finalen e Uimbëlldonit, duke thyer një rekord të Rozher Federerit. Kampioni në fuqi në Londër ka tani 32 finale Grand Slemi, një më shumë sesa zvicerani i madh (31), ndërsa Rafael Nadal është në kuotën 29. Triumfi ndaj Norrit nuk ishte edhe aq i lehtë, por kjo vetëm për shkak të setit të parë që “Nole” e “dhuroi” me shifrat 2-6. Britaniku luajti shkëlqyeshëm i mbështetur edhe nga rreth 15 000 spektatorë në Arenën kryesore që thuajse të gjithë ishin me të. Gjithsesi, serbi është mësuar me presionin duke fituar radhazi setet e tjera 6-3, 6-2 e 6-4. Kjo, edhe pse publiku bërtiti mjaft kundër tij. Nole ka tani 27 fitore radhazi në Uimbëlldon, ku arriti finalen e 8-të, dhe 333 fitore në Grand Sleme. Nëse fiton në Londër, do të ketë 21 Grand Sleme, vetëm një më pak sesa rekordmeni Nadal. Do të arrinte fitoren e 4-ët, gjë që e kanë bërë vetëm 3 legjenda përpara tij, e finalen e fundit në barin anglez e ka humbur që në 2013 ndaj Andi Marrejt.

Sfidanti.al