Gjokoviç: Besoj se mund ta fitoj Uimbëlldonin, respekt maksimal për Nadalin!

Janë dy rivalë të mëdhenj, vërtet të jashtëzakonshëm, edhe pse viti 2022 ka qenë shumë më i vështirë për tenistin serb. Novak Gjokoviç do të marrë pjesë në Grand Slemin e dytë të madh të vitit, në atë të Uimbëlldonit, pasi nuk u lejua në Australi dhe pasi u mund nga Rafael Nadali në çerekfinalet e “Rolan Garosit” në Paris. Nole thotë se ka besim se mund t’ia dalë edhe pse përgatitjet nuk kanë qenë siç duhet. “Nuk është hera e parë që më ndodh, dhe kam fituar edhe më parë kështu”, – shprehet ai. Ky do të ishte Uimbëlldoni i 4-ët radhazi i fituar prej tij dhe i 7-ti në karrierë, që do ta barazonte me britanikun legjendar Uilliam Renshou, dhe do ta linte 1 Grand Slem më pak sesa rekordmeni Rozher Federer. Më pas, ai mund të mos garojë në US Open sepse për momentin qeveria amerikane ndalon të hyjnë ata që nuk janë vaksinuar. Në Uimbëlldon, rivali i tij i madh pritet të jetë Nadali, rekordmeni me 22 Grand Sleme. “Është një tenist i jashtëzakonshëm, të cilit i heq kapelen, – thotë Nole, – për të mund të kem vetëm respektin maksimal”.

Sfidanti.al