Shah, Klean Shuqja dhe Landi Pasku janë kampionët e rinj kombëtare!

Ishte një test edhe për garën e rëndësishme ndërkombëtare të radhës. Kampionati kombëtar individual i shahut, për femra e për meshkuj, e mbylli konkurrimin edhe për këtë vit në Hotel “Mondial”, dhe kampionë dolën Klean Shuqja për vajza e Landi Pasko për djem. Shuqja, që stërvitet nga trajneri Shkëlqim Çela, vazhdon paraqitjet e saj shumë pozitive, dhe në moshën 16-vjeçare e konfirmoi duke fituar titullin kampion.

Shahistja e Tiranës e mbylli turneun me 5.5 pikë, duke pasur 5 fitore e një barazim. Padyshim që Shuqja është një nga shpresat e shahut shqiptar edhe në Olimpiadën që zhvillohet pas një muaji në Indi, duke qenë pjesë e ekipit kombëtar si dhe kandidate për titullin Mjeshtre e FIDE-s. Ajo ka elon standarde 1845. Në vendin e dytë për femra doli Kler Caku e Teutës (kampione e vjetshme) me 4 pikë, dhe gjithashtu 4 pikë mori Eklea Omeri e Butrintit të Sarandës që doli e treta.

Për meshkuj, kampion u shpall Llambi Pasko gjithashtu i Tiranës, që mori 8 pikë, me 6 fitore e dy barazime. Rivaliteti ishte i fortë, ndërsa në vend të dytë doli Zino Veleshnja i Butrintit me 7 pikë dhe i treti Franc Ashiku me 6.5 pikë. Ndeshjet nisën në 18 qershor dhe përfunduan pikërisht sot, ndërsa më pas Shqipëria pritet të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të shahut që mbahet në Çenai të Indisë nga 28 korriku deri në 10 gusht.

Sfidanti.al